Lëkundjet sizmike me epiqendër Cërrikun dhe me magnitud 5.2 ballë, kanë krijuar mjaft dëme materiale në pallatet dhe banesat e këtij qyteti. Shtabi emergjencave pasi ka kryer verifikimet ka konkluduar se infrastruktura e 9 banesave paraqet rrezik për jetën e banorëve ndaj ata dhe nuk mund të strehohen më në to.
Kreu i Bashkisë së Cërrikut, Servet Disha, thotë se institucioni që ai drejton nuk është në kushte për ti dhënë familjeve ndihmë të përhershme, pasi është e pamundur për shkak të fondeve. Ai shtoi se familjet që kërkuan ndihmë pranë bashkisë janë strehuar pranë konviktit të shkollës së mesme "Mihal Shahini".
"Bashkia është në pamundësi për të bërë sistemimin e mëtejshëm të tyre, kështu që kërkojmë një bashkëpunim me shtabin e emergjencave të lidhur nga Prefekti apo Drejtoria e Ministrisë së Rendit apo edhe ndihma të tjera që dihet t'i vijnë bashkisë për të përballuar këtë situatë", u shpreh Disha.
Nga 9 familje të dala nga banesat e tyre, 4 janë strehuar në konvikt, ndërsa 5 familje kanë preferuar të qëndrojnë tek të afërmit e tyre.
"Neve na ra shtëpia nga tërmeti dhe na dëmtoj çdo gjë nga tërmeti. Jemi dy familje, s'jemi ,jemi shumë të varfër, deri tani nuk e di, s'di fare.
Kemi pësuar shumë dëme, janë dy dhoma të çara komplet, janë tavanët po ashtu, janë me çimento,një mur dhe një dhomë kanë rënë, vetëm një murë i mban, nga momenti në moment po të bjerë një tërmet na zë brenda, kam hallin e fëmijëve, asgjë tjetër", shprehen banorët.
Pallati 13, ka pasur dëme në katin e 3-të të tij, ndërsa në pallatin 86, kanë qenë në katin e 2 -të tij dhe në rast se do të ketë një tjetër lëkundje, ky pallat do të shembet.
Për më shumë klikoni në http://www.oranews.tv/